Durana Tech Park Sh.A. njofton publikun dhe të gjitha palët e interesuara për zhvillimin e procesit të konsultimit publik në kuadër të hartimit të Raportit të Vlerësimit Strategjik Mjedisor (VSM), lidhur me zhvillimin e infrastrukturës fizike të Parkut Teknologjik dhe Shkencor Durana Tech Park.
Durana Tech Park është parku i parë teknologjik dhe shkencor në Shqipëri, i cili synon të krijojë një ekosistem të integruar për zhvillimin e teknologjisë, inovacionit, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe industrisë. Projekti parashikon zhvillimin e infrastrukturës fizike të parkut në një sipërfaqe prej rreth 14 hektarësh, në zonën e Xhafzotajt, Bashkia Shijak, Qarku Durrës, duke përfshirë hapësira për veprimtari kërkimore-shkencore, zhvillim teknologjik, inovacion, sipërmarrje dhe shërbime mbështetëse.
Procesi i Vlerësimit Strategjik Mjedisor synon identifikimin, analizimin dhe vlerësimin e ndikimeve të mundshme në mjedis që lidhen me zhvillimin e planifikuar, si dhe përcaktimin e masave për parandalimin, minimizimin dhe menaxhimin e tyre, në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi.
Në kuadër të këtij procesi, Durana Tech Park fton institucionet publike, ekspertët, organizatat e shoqërisë civile, komunitetin lokal dhe të gjitha palët e interesuara të njihen me dokumentacionin përkatës dhe të paraqesin komentet, sugjerimet dhe rekomandimet e tyre.
Informacion mbi konsultimin publik:
- Data: 23.10.2026
- Ora: 12:00 PM
- Vendi: Hilton Garden Inn, Tiranë
Pjesëmarrja dhe kontributi i palëve të interesuara janë të rëndësishme për garantimin e një procesi transparent, gjithëpërfshirës dhe në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm.
Durana Tech Park Sh.A. mbetet i angazhuar për zhvillimin e një infrastrukture moderne teknologjike dhe shkencore, duke respektuar standardet mjedisore dhe duke promovuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social.
