Në Milano, Itali, Durana Tech Park hodhi një tjetër hap të rëndësishëm në zgjerimin e partneriteteve të saj ndërkombëtare, duke nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Milano Innovation District (MIND), distriktin më të madh të inovacionit në Itali, si dhe me Principia, partner strategjik i Albanian Investment Corporation (AIC) në Itali.
Kjo marrëveshje synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet ekosistemeve të inovacionit të Shqipërisë dhe Italisë, duke krijuar mundësi të reja për shkëmbimin e njohurive, zhvillimin e projekteve të përbashkëta, mbështetjen e startup-eve dhe promovimin e inovacionit teknologjik.
Partneriteti hap rrugën për bashkëpunime më të ngushta mes institucioneve, kompanive, sipërmarrësve dhe qendrave kërkimore, duke kontribuar në ndërtimin e një ekosistemi më të integruar dhe konkurrues në nivel rajonal dhe evropian.
Përmes marrëveshjeve strategjike me partnerë ndërkombëtarë të profilit të lartë, Durana Tech Park vijon të konsolidojë rolin e saj si një qendër kyçe e inovacionit në rajon, duke krijuar ura të reja bashkëpunimi dhe duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Shqipërisë.



