Nis hartimi i Concept Plan për Durana Tech Park
Zhvillim22 Maj 2026

Nis hartimi i Concept Plan për Durana Tech Park

Durana Tech Park ka nisur zyrtarisht procesin e hartimit të Concept Plan, një dokument strategjik që do të udhëheqë zhvillimin afatgjatë të parkut si një ekosistem inovativ, i qëndrueshëm dhe i orientuar drejt së ardhmes.

Për këtë qëllim u zhvillua një workshop treditor, i cili mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, universitete, kompani rezidente dhe partnerë strategjikë për të kontribuar në përcaktimin e vizionit, prioriteteve dhe drejtimeve kryesore të zhvillimit të Durana Tech Park.

Gjatë tre ditëve të punës, diskutimet u fokusuan në organizimin funksional të parkut, sektorët me potencial për zhvillim, infrastrukturën, teknologjinë, inovacionin, investimet dhe krijimin e një distrikti modern që ndërthur industrinë, kërkimin shkencor dhe sipërmarrjen.

Në workshop morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Ekonomisë, agjencive përkatëse, Bashkive Durrës dhe Shijak, universiteteve, kompanive rezidente dhe aktorëve të tjerë të ekosistemit, të cilët ndanë ekspertizën dhe perspektivat e tyre për zhvillimin e parkut.

Hartimi i Concept Plan zhvillohet në kuadër të iniciativës Eco-Industrial Parks (EIP) dhe përfaqëson një hap strategjik drejt krijimit të një qendre moderne të inovacionit dhe industrisë së avancuar në Shqipëri.

Përmes këtij procesi gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues, Durana Tech Park vijon të ndërtojë themelet e një ekosistemi që promovon inovacionin, teknologjinë, qëndrueshmërinë dhe investimet, duke forcuar pozicionin e Shqipërisë si një destinacion konkurrues për zhvillimin e industrive të së ardhmes.

Zhvillim